Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media që e mbajti pas shpërthimit të trazirave të mbrëmshme në Beograd tha se, “ka argumente që shërbime të caktuara nga rajoni janë të përfshira”.
“Ekstremistë të krahut të djathtë e kanë organizuar sulmin ndaj Parlamentit të Serbisë”, tha Vuçiq.
Ndërkaq, grupet e ekstremit të djathtë në Serbi janë të lidhur ngushtë me Moskën zyrtare. Vet Vuçiqi deklaroi se në trazira ka pasur edhe rusë.
Lidhur me reagimin e policisë, ai ka thënë se, “policia, gjatë shfaqjes së dhunës më gurë dhe zjarrëvënies së objekteve njëherë ka duruar, mirëpo dikur është dashur që të reagojë”.
Protestat e mbrëmshme në Serbi filluan pas masave të reja shtetërore për ndalimin e virusit COVID-19. Ato eskaluan deri në hyrjen në Parlamentin e Serbisë.
Serbë radikalë, të njohur për qëndrime rusofile kanë qenë të zëshëm kundër këtyre masave. Një pjesë ka marrë pjesë në këto trazira.
Sa i përket përfshirjes së shërbimeve të huaja në Serbi, vitin e kaluar vet Vuçiqi kishte shfaqur shqetësimin për ndërhyrjen e inteligjencës ruse (rast i njohur si “Kleban”), kur një oficer rus blinte dokumente sekrete nga një punonjës serb i sigurisë. /Telegrafi/