Telegrafi

Vritet rojtari i një marketi në Michigan, vetëm pse i tha një gruaje të bartë maskë në fytyrë

Anëtari i sigurimit të një marketi Family në SHBA është vrarë, pasi që vetëm pse i kishte thënë një klienti të bartë maskë mbrojtëse në fytyrë, ka njoftuar policia amerikane.

E gjitha ka ndodhur në qytetin Flint në Michigan. Calvin Munerlin, 43-vjeç, ka humbur jetën në spitalin lokal, pasi që sulmuesit e kishin qëlluar me armë në kokë, ka njoftuar kapiteni i policisë David Kassier, transmeton Telegrafi.

Siç raporton CNN, sulmuesi dhe një i dyshuar tjetër janë në liri, kurse dëshmitarët okularë kanë deklaruar para policisë së Munerlin ishte përfshirë në një konflikt verbal me një grua e cila nuk barte maskë, siç edhe kanë urdhëruar autoritetet e vendit.

Pamjet e kamerave të fshehta e dëshmojnë këtë. Në video shihet se si kjo grua largohet menjëherë nga marketi dhe futet në një veturë. Rreth 20 minuta, rikthehet vetura në vend të ngjarjes.

“Është e pabesueshme. Për shkak të një maske”, ka deklaruar Tina James, e afërme e të vrarit. /Telegrafi/