Site icon Telegrafi

Policia në vetëmbrojtje ka vrarë një person në Prizren

Policia e Kosovës, në orët e mbrëmjes, ka vrarë presionin me iniciale B.Sh. në Prizren. Viktima ishte në kërkim dhe i njëjti kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët më pas i ishin kundërpërgjigjur.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Policia e Kosovës, njësiti policor i Drejtorisë Rajonale në Prizren derisa ishte në realizim të detyrave policore, sot në orët e mbrëmjes në lagjen e trimave në Prizren ka hasur në personin e dyshuar (B.Sh. me pseudonimin “qorri”), i cili ishte në kërkim me urdhërarrest për vepër penale ‘Tentim Vrasje’. Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të shtijë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen personit të dyshuar me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Sipas Policisë, nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore.

“Nga mjekët kompetent është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marrura ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version