Sot rreth orës 11:10 është vrarë me armë zjarri një person, në Rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 11:10 policia e Kosovës është informuar që në Deçan rruga ‘Luan Haradinaj’ ka ndodhur një vrasje. Viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, pasi që gjendja e tij ka qenë e rëndë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, por i njëjti sipas ekipit mjekësor ka arritur pa shenja jete. Rasti është cilësuar si vrasje. Ndërkaq, personi i dyshuar për vrasje është arrestuar”, ka thënë Rugova.
Burime të Telegrafit, bëjnë të ditur se autor i vrasjes është djali i pronarit të Kompanisë “Gogaj-Ag”, cili ka vrarë një punëtor të kësaj kompanie.
Ndërsa, faqja “Deçani Sot” në Facebook, njofton se personi i vrarë është i riu, Agonis Tetaj nga Lluka e Ulët, i cili është vrarë aksidentalisht në vendin e punës.
Policia nuk ka dhënë detaje dhe motivet e vrasjes. /Telegrafi/