Një vrasje raportohet se ka ndodhur në orët e mëngjesit të së mërkurës në fshatin Banjë të Malishevës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se rreth orës 07:15, një person i moshës madhore është gjetur pa shenja jete në këtë fshat dhe i njëjti dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Lidhur me rastin, ai ka bërë të ditur se një person është dorëzuar në polici dhe nga hetimet e para, dyshohet se i njëjti ka qëlluar viktimën me armë zjarri.
“Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë tutje Elezaj.
Njësitet e nevojshme policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore. /Telegrafi/