E plotësuar: Policia e Kosovës ka dhënë detaje në rastin e vrasjes së të riut në Ferizaj.
Policia njofton se viktima M.A. rreth moshës rreth 25 vjeçare ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa i dyshuari (Sh.R. 17 vjeçar) është në fazën e intervistimit.
“Rreth orës 12:30, policia ka marrë informatën për një rast gjuajtje me armë zjarri në rrugën ‘Ahmet Kaqiku’ në Ferizaj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Pas hetimeve fillestare, hetuesit policor kanë arrestuar një person të dyshuar lidhur me këtë rast dhe njëherësh është gjetur dhe konfiskuar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari (Sh.R. 17 vjeçar) është në fazën e intervistimit”, bëhet e ditur në njoftim. /Telegrafi/
E plotësuar: Një person 25 vjeçar sot ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një gjuajtje me armë.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, në udhëkryqin e rrugës “Ahmet Kaqiku”, në Ferizaj.
Gashi tha se mjeku në terren e ka konstatuar vdekjen e tij.
“Rreth orës 12:00 të udhëkryqi i rrugës ‘Rexhep Prishtina’, ka ndodhur një gjuajte me armë, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e një personi. Mosha e viktimës është rreth 25 vjeçar”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Policia është duke e hetuar rastin. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim