Telegrafi

Vritet Astrit Ademaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj është vrarë sonte rreth orës 20:20 në qytetin e Pejës.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti.

“Dy persona janë vrarë, njëri është Astriti”, tha shkurtimisht ai.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin, se të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar rreth orës 20:20 në afërsi të shkollës Ekonomike “Ali Hadri”, ku dy persona kanë mbetur të vdekur dhe një tjetër i plagosur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi deklaroi se tashmë në vend të ngjarjes janë Policia dhe Prokuroria.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha për Telegrafin se nga incidenti me armë zjarri kanë humbur jetën dy persona.

“Si pasojë e një incidenti me armë zjarri dy persona kanë mbetur jetën dhe një tjetër është plagosur”, theksoi ai. /Telegrafi/