Një 37 vjeçar dyshohet se është vrarë sot me armë zjarri rreth orës 13:52 në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas tij, në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.
“Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ‘Mërgimtarët e Gjilanit’ në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri”, tha Hashani.
“Në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, sipas tij me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se viktima është Sokol Osmani./Telegrafi/