Një i ri u gjet i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të enjteje në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hot i Ri dhe viktimë nga të shtënat ka mbetur 33-vjeçari Valter Fierza. Rrethanat e këtij krimi momentalisht nuk dihen.
Burime paraprake bëjnë të ditur se 33-vjeçari është gjetur i vrarë jashtë makinës së tij, në afërsi të kishës së fshatit.
Mësohet se kanë qenë familjarët e tij që e kanë gjetur të riun dhe kanë njoftuar policinë. Paraprakisht nuk rezulton që viktima të ketë precedentë penalë.
“Rreth orës 21.48, në fshatin Hot i Ri, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Valter Fierza, rreth 33 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për mediat./Tv Klan