Site icon Telegrafi

Vreshtaria e Kosovës në pulla postare

Posta e Kosovës ka promovuar të hënën emisionin prej tri pullave postare kushtuar Vreshtarisë së Kosovës. Promovimi është mbajtur në Shtëpinë e Verës në Rahovec – qendrën e rajonit vreshtar në vendin tonë.

“Ne jemi të lumtur që përmes kësaj serie të pullave postare po e promovojmë vreshtarinë dhe verën e Republikës së Kosovës sepse këto pulla postare, me imazhin e vreshtave të Rahovecit dhe Kosovës, me imazhin e rrushit dhe verës, do të udhëtojnë kudo nëpër botë”, ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha.

Ai theksoi se Posta e Kosovës ndihet e nderuar sepse nga sot, vreshtarët dhe verëtarët e Rahovecit dhe të Kosovës e kanë edhe pullën e tyre postare. “Ju e meritoni këtë dhuratë nga Posta e Kosovës ”, ka thënë Hoxha.

Në promovim kanë folur edhe Vezir Januzi, Zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Idriz Vehapi, Kryetar i Komunës së Rahovecit si dhe Kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, Afrim Sharku.

Ata kanë falënderuar Postën e Kosovës për afirmimin e vreshtarisë përmes pullave postare, ndërkaq kryetari i vreshtarëve i ka ndarë një mirënjohje kryeshefit Hoxha.

Në shenjë respekti, kryeshefi ekzekutiv i Postës u ka dhuruar pullën postare të punuar në pllakë bronzi kryetarit të Komunës së Rahovecit dhe kryetarit të Shoqatës së Vreshtarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version