Telegrafi

Vrau të dashurën, atleti Oscar Pistorius do të lirohet nga burgu pas gati 11 vitesh

Ish-kampioni paralimpik, Oscar Pistorius së shpejti do të lirohet nga burgu ku kaloi gati njëmbëdhjetë vjet.

Pistorius u dënua me burg për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Steenkamp në ditën e Shën Valentinit 2013, kur ai e qëlloi atë disa herë nga dera e banjës, duke e vrarë atë.

Atleti u justifikua se e ngatërroi vajzën me një hajdut, por kjo nuk i bindi gjyqtarët e gjykatës së Afrikës së Jugut, të cilët e dënuan me 13 vjet burg.

 

Tani është marrë vendimi për t’i dhënë Pistorius lirimin me kusht dhe ai do të lirohet përfundimisht më 5 janar 2024.

June Steenkamp, ​​nëna e vajzës së vrarë, nuk e kundërshtoi lirimin e Pistorius, por pyeti në një letër drejtuar gjykatës nëse “çështjet e mëdha të zemërimit” të Pistorius ishin zgjidhur vërtet në burg, duke shtuar se ajo potencialisht do të ishte “e shqetësuar për sigurinë e çdo gruaje” që tani bie në kontakt me të.

Në fillim të këtij viti ka ndërruar jetë babai i vajzës së vrarë, Barry, i cili deklaroi se si gruaja e tij dhe ai ishin nën presion dhe stres të madh për gjithçka që po kalonin.

Pistorius tani është 37 vjeç dhe gjatë një karriere të suksesshme atletike ai fitoi medaljen e artë në garën 200 metra në Lojërat Paralimpike të vitit 2004, si dhe medaljen e bronztë në 100 metra.

Katër vjet më vonë, në Lojërat e reja, ai fitoi medaljen e artë në të dyja këto disiplina, përfshirë garën e 400 metrave.

Ai ende mban rekordet me kohët 10.91 sekonda në 100 metra dhe 21.30 sekonda në 200 metra. /Telegrafi/