Telegrafi

Vrau nënën shqiptare të dy fëmijëve pa shkak, dënohet me 14 vjet burg italiani

14 vjet burg ka dhënë gjykata e Ragusa-s për 30-vjeçarin Federico Lacona, italianin i cili vrau me thikë shqiptaren Brunilda Halla. Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 Maj të vitit të shkuar, jashtë shtëpisë së 37-vjeçares në Vittoria.

Brunilda Halla, nënë e dy fëmijëve, po shkonte për në punë kur u godit për vdekje. Ajo nuk e vuri re vrasësin, deri në momentin që ai ndodhej pas shpatullave të saj. Ajo u godit 6 herë me thikë pas shpine dhe vdiq përpara se të mbërrinte ambulanca.

30-vjeçari më pas u arratis, duke fshehur rrugës thikën dhe bluzën e gjakosur. Ai u arrestua pak orë më pas në shtëpinë e tij, pasi autoritetet morën dëshmitë në vendngjarje dhe panë kamerat e sigurisë që kishin filmuar gjithçka.

Fillimisht e mohoi krimin, më pas pranoi gjithçka, përfshirë faktin se viktimën e kishte zgjedhur rastësisht, pa e njohur dhe pa pasur asnjë lloj konflikti me të. Ai tha se kishte qenë i vendosur për të vrarë personin e parë që do të takonte në rrugë, për t’u hakmarrë ndaj abuzimeve që kishte pësuar nga shoqëria.

Bruna Halla

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, 30-vjeçari përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Ndërkohë familja e shqiptares u dëmshpërblye me 75 mijë euro secili dhe 30 mijë euro për vëllain e viktimës.

Shkak për dënimin prej 14 vitesh u bë fakti se gjykata njohu pjesërisht paaftësinë e vrasësit për të kuptuar dhe logjikuar, pasi vuan nga deliri dhe halucinacionet. Gjatë kohës që zhvillohej gjyqi ndaj tij, Lacona ndodhej në një institut të specializuar./Tv Klan/