Site icon Telegrafi

Vrau Klodian Rashën, ashpërsohet dënimi për ish-policin Hajdaraj

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur që të ashpërsoj dënimin ndaj Nevaldo Hajdarajt, ish-policit të akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës në vitin 2020.

Gjykata e ka rritur dënimin e Hajdarajt me 18 vite burg, nga 15 që u dënua në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Hajdaraj dënohet përfundimisht me 12 vite burg.

Ish-polici i forcave “Shqiponjat”, Nevaldo Hajdaraj u shpall fillimisht fajtor për vrasje me dashje. Ai e ankimoi vendimin duke kërkuar që të ndryshohej në “tejkalim të nevojës për t’u mbrojtur”, duke argumentuar se nuk ishte vrasje me dashje.

Edhe Prokuroria e kishte ankimuar vendimin, e cila në shkallën e parë kishte kërkuar 20 vite burg për Hajdarajn.

Më 14 korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës e dënoi Hajdarajn me 15 vite burg dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 10 vite.

Më 8 dhjetor 2020, Rasha u vra në hyrje të rrugicës që të çon drejt banesës së tij, i paarmatosur duke i vrapuar policisë për shkak të frikës.

Nga pamjet filmike, rezultoi se Nevaldo Hajdaraj kishte qëlluar me dy plumba në distancë të riun, duke e lënë të vdekur në vend, raporton A2 CNN. /Telegrafi/

Exit mobile version