Rreth dy vjet pas vrasjes së gazetarit investigativ sllovak Jan Kuciak dhe së fejuarës së tij Martina Kusnirova dorasi i pandehur papritur e ka pranuar akuzën.
Deri tani i akuzuari Miroslav Marcek, një ish-ushtar 37-vjeçar, nuk e pranonte fajin.
Ai akuzohet, se ka vrarë duke qëlluar me armë dy 27-vjeçarët.
Të hënën (13.01) pas leximit të aktakuzës ai dha një dëshmi duke e pranuar fajin.
Ai tha, se atëherë pati trokitur në derën e shtëpisë së Kuciak në një periferi të Bratislavës dhe e pati qëlluar në kraharor gazetarin, kur ai i hapi derën, deklaroi Marcek para trupit gjykues në Pezinok.
Më pas ai kishte parë që në shtëpi ndodhej një person i dytë.
“Ajo vrapoi në kuzhinë dhe unë e qëllova atë atje”, shtoi 37-vjeçari.
Ai u kërkoi falje të afërmve të të dy viktimave.
Përveç Marcek, të akuzuar si porositës të vrasjes janë Marian Kocner dhe Alena Zsuzsuova.
Kjo e fundit duhet të ketë organizuar kontaktin me Marcek.
I akuzuari kryesor në proces, 56-vjeçari Kocner deklaroi në të kundërt, se ai nuk e ka porositur vrasjen e Kuciak.
Prokuroria e akuzon Kocner, se ka porositur vrasjen e gazetarit investigativ, pasi një përpjekje për t’i bërë presion atij të heqë dorë nga investigimi kishte dështuar.
Lidhje me mafien
Jan Kuciak dhe Martina Kusnirova më 21 shkurt 2018 u vranë në shtëpinë e tyre në fshatin perëndimor të Sllovakisë, Velka Maca.
Gazetari më parë kishte hulumtuar për lidhjet e politikës me biznese jo transparente.
Reportazhi i tij i transmetuar pas vdekjes së gazetarit për lidhjet e mundshme të klaneve të mafies italiane me punonjës të qeverisë sllovake shkaktoi demonstrata masive kundër korrupsionit dhe abuzimit me paratë e fondeve të ndihmës të BE-së.
Si rrjedhojë, kryeministri prej një kohe të gjatë në post, Robert Fico, shumë ministra si dhe presidenti i policisë dhanë dorëheqjen. /DW/