Një i dyshuar për të shtënat masive në Kaliforni është gjetur i vdekur pasi dyshohet se vrau 10 persona dhe plagosi 10 të tjerë në një sulm të shtunën mbrëma në Monterey Park.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Huu Can Tran, 72 vjeç, u gjend i vdekur të dielën nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri në një furgon të bardhë me të cilin autoritetet thonë se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Tran u gjet në Torrance, që ndodhet rreth 30 minuta nga Monterey Park, së bashku me një pistoletë dhe prova të tjera.
Monterey Park ndodhet në skajin lindor të Los Anxhelosit.
Dhe Zyra e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit tha se asnjë i dyshuar tjetër nuk ishte “i lirë” dhe se një motiv i mundshëm është i paqartë.
Ndryshe, pesë gra dhe pesë burra mbetën të vdekur nga të shtënat në studion e vallëzimit Star Ballroom në Monterey Park dhe 10 persona të tjerë u plagosën, tha zyra e sherifit.
Qyteti në të cilin ndodhi incidenti ka një popullsi të madhe aziatike dhe të shtënat u kryen gjatë festimeve të Vitit të Ri Hënor.
Por kush është Huu Can Tran?
Të dielën, sherifi Robert Luna, identifikoi Tran si të dyshuarin për të shtënat në Monterey Park.
Autoritetet zbuluan se Tran ishte i vdekur në furgonin e përdorur për t’u larguar nga vendi i të shtënave.
Një pistoletë u gjet gjithashtu në furgonin e gjetur në Torrance.
Megjithatë, nuk dihet nëse Tran kishte në shënjestër ndonjë apo disa individë – apo qëllonte pa dallim.
Ai thuhet se kishte tentuar të kryente të shtëna të tjera në një sallë tjetër në qytetin e Alhambras rreth 30 minuta pas incidentit fillestar, por njerëzit në vendndodhje ia hoqën pistoletën para se ai të largohej.
Gruaja e Tran tha në një intervistë për media të dielën se burri i saj jepte leksione në Studion e kërcimit Star Ballroom.
Një tjetër dëshmitar ka thënë gjithashtu se Tran vizitonte shpesh studion e vallëzimit, megjithëse nuk është e qartë se kur erdhi për herë të fundit në studio. /Telegrafi/