Telegrafi

Vrasjet në tentativë, njëra në Drenas dhe tjetra në Prishtinë – policia jep detajet

Foto: Ilustrim

Dy raste të vrasjes në tentativë janë shënuar të martën, njëra në Drenas dhe tjetra në Prishtinë.

Sipas raportit të Policisë, të martën në ora 18:07 në Drenas pas një mosmarrëveshje mes katër personave meshkuj kosovarë, njëri prej tyre ka shtënë me armë zjarri dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar 2 gëzhoja, një thikë dhe një shufër metalike.

Nuk raportohet për të lënduar, ndërkaq lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti i nënshtrohet procedurave hetimore.

Rasti tjetër i vrasjes në tentativë ka ndodhur në Prishtinë, të martën në ora 13:50.  

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ka qenë në shoqëri me dy persona me veturën me targa lokale, nga vetura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij disa herë”, thuhet në raport.

I njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Nga njësiti policor është hasur edhe vetura e dyshuar e braktisur. Në konsultim me prokurorin vetura e dyshuar sekuestrohet dhe rasti iniciohet si i tillë. /Telegrafi/