Pas gati 30 vitesh në arrati, Matteo Messina Denaro, njeriu i etiketuar si kreu i mafias më famëkeqe në botë – Cosa Nostra, u arrestua në Palermo.
Ai u akuzua për disa nga krimet më monstruoze, duke i dhënë pseudonimin “Diabolic”.
Denaro nuk respektoi kodin, nuk zgjodhi viktimat e tij, vrau fëmijë dhe gra shtatzëna, prandaj do të mbahet mend në histori për këto vrasjet më mizore.
Përkatësisht, një nga bosët e fundit të mafias është arrestuar në një klinikë private në Palermo. Lajmi për arrestimin e mafiozit i gëzoi edhe ata që “kanë simpati të caktuara” ndaj veprimtarive kriminale.
Arsyeja për këtë është se “Diabolic” nuk kishte simpati për askënd dhe as nuk e kishte problem të ishte përgjegjës për sulmet që rezultuan me dhjetëra viktima civile.
Tani familjet dhe miqtë e tyre mund të marrin frymë lehtësisht – pasi duket se drejtësia më në fund do të vihet në vend.
Vrasja e parë në moshën 18 vjeçare
Rruga e tij e zhvillimit nuk është befasuese duke marrë parasysh edukimin dhe sjelljen në vitet e adoleshencës.
Domethënë, “Diabolic” u rrit nën kujdesin e rregullave strikte, por mizore të Cosa Nostra.
Ai mori armën e parë para se të nxirrte letërnjoftimin dhe tërhoqi këmbëzën kur ishte vetëm 14 vjeç.
Tre vjet më vonë, ai qëllonte në rrugë çdo ditë, duke marrë pjesë në një luftë të përgjakshme për epërsi në nëntokën italiane që u mori jetën të paktën 32 njerëzve, kur për herë të parë ndoti duart.
Nuk dihet se sa anëtarë të bandave rivale ka vrarë.
Sipas pretendimeve të atyre që ishin në mjedisin e tij të afërt, ai për herë të parë ka vrarë një person sapo kishte mbushur 18 vjet.
Gruaja shtatzënë në listën e përgjakshme
Fushata e përgjakshme vazhdoi më pas.
Kishte gjithnjë e më shumë viktima, gjithnjë e më pak respektim të kodit.
Se sa i pashpirt u bë, tregon edhe fakti se një nga viktimat ishte një grua shtatzënë, të cilën e mbyti me duart e veta.
Sipas mediave italiane, për të fituar reputacionin e një vrasësi gjakftohtë, Denaro mbyti një grua shtatzënë, të dashurën e rivalit të atëhershëm, Vincenzo Milazzo nga Alcamo.
Bombardimet dhe vrasja më brutale
Denaro ishte një nga iniciatorët e sulmeve me bomba në monumentet e qyteteve të mëdha italiane, të tilla si Roma, Firenca dhe Milano. Të paktën 10 njerëz vdiqën atëbotë.
Një burrë ishte dëshmitar i kësaj ngjarje fatkeqe dhe donte të ndante njohuritë e tij. Për ta ndalur, “Diabolic” bëri atë që në atë kohë ishte e pamendueshme.
Bëhet fjalë për vrasjen e djalit Giuseppe Di Matteo (12), e ndodhur në vitin 1993. Në shenjë hakmarrjeje ndaj babait të tij, (i cili supozohej se kishte prova kundër tij), Denaro e rrëmbeu djalin teksa po kthehej nga kalërimi, që ishte dashuria e tij e madhe.
Më pas e torturoi, e mbajti rob për dy vjet dhe në fund e mbyti gjersa trupin ia hodhi në acid.
Sibling of boy, 12, strangled by mafia 'Godfather' curses the killer https://t.co/OJGMYNysgV via @MailOnline 'I hope he suffers a long time, the same suffering he gave my brother'
— YorkshireLass69 🇬🇧🇬🇧🇬🇧🇬🇧🇬🇧🇬🇧 (@fgmrs) January 16, 2023
Giuseppe u rrëmbye më 14 nëntor 1993 pasi doli nga hambari dhe iu afrua një grup mafiozësh të veshur si policë.
Ata i thanë se do ta dërgonin te babai i tij, gjithashtu një ish mafioz, i cili ishte në një vend të sigurt pasi pranoi të bashkëpunonte me autoritetet, kështu që djali i besoi.
Rrëmbyesit e torturuan djalin për gati 800 ditë, midis 1993 dhe 1996. Qëllimi i rrëmbyesve ishte të përdornin atë shantazh për të kapur Santino di Mateo, babai i djalit.
Vrasjet e gjyqtarëve
Nuk ishte vetëm djali fatkeq që e pagoi repartin. Në festën e përgjakshme të Cosa Nostra nën stafetën e Denaros, mbetën të vrarë dy gjyqtarë që luftuan kundër mafies.
Një nga vrasjet mafioze për të cilën është përgjegjëse Cosa Nostra dhe që tërhoqi vëmendjen më të madhe të publikut botëror, është padyshim vrasja e gjyqtarit Giovanni Falcone, si dhe mikut të tij, Paolo Borsellino.
Si një luftëtar i shquar antimafia, Falcone formoi një komision antimafia në fillim të viteve 1980.
Është ai që është përgjegjës për faktin se bosi i atëhershëm mafioz, Tommaso Buschetta pranoi të bëhej një lloj dëshmitari bashkëpunues dhe të zbulonte sekretet më të mëdha të botës së krimit sicilian. Për shkak të kërcënimeve të shumta, gjyqtari Falcone edhe atëherë ishte nën mbrojtjen e policisë, por ai vazhdoi të luftonte kundër anëtarëve të mafias.
Kështu u gjend në shënjestrën e një prej organizatave mafioze më famëkeqe, Cosa Nostra.
Atë 23 maj 1992, anëtarët e Cosa Nostra fshehën 500 kilogramë lëndë plasëse në një kanal ujërash të zeza të hapura paralelisht me një nga rrugët në zonën e Capacit.
Kur u aktivizuan eksplozivët, dy vetura fluturuan në ajër. Siç doli, në njërin prej tyre ishte ulur gjyqtari Giovanni Falcone, kundërshtari më i spikatur i Denaros dhe mafias në përgjithësi.
Përveç vetë Falcone, bashkëshortja e tij u vra, truproja dhe shoferi i mbijetuan sulmit.
Borselino u vra vetëm dy muaj më vonë, në një mënyrë pothuajse identike. Atentatori e qëlloi pa mëshirë në veturë para shtëpisë së nënës së tij. Përveç tij, janë vrarë edhe pesë truprojat e tij.
Më shumë se 50 të vdekur
Supozohet se në fakt ka shumë më tepër viktima të Cosa Nostra. Një nga viktimat më të famshme është Nikola Konsales, pronari i një hoteli.
Sipas të dhënave jozyrtare, “Diabolic” urdhëroi vrasjen, vrau ose tentoi të vriste të paktën 61 persona.
Shumë prej tyre nuk do të gjenden kurrë dhe historitë e vuajtjeve të tyre do të vazhdojnë të mbretërojnë mbi “omerta”.
Se numri mund të jetë shumë më i lartë, tregon edhe fakti se vetë Denaro mburrej se mund të mbushte “varrezat e veta me viktimat e tij”.
Korrupsioni, droga, grabitjet…
Krahas krimeve të lartpërmendura, “Diabolic” dyshohet edhe për dallavere familjare, porosi të grabitjeve, si dhe pjesëmarrje në aktivitete që rezultuan me vdekjen e qindra personave – trafik droge.
Për vrasjen e gjyqtarëve Falcone dhe Borsellino, ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm. /Telegrafi/