Telegrafi

Vrasjet e tri grave në Tiranë, Begaj: Fenomene të tilla nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me ngjarjet e rënda të ndodhura këtë të mërkurë, ku u vranë tre gra në Paskuqan dhe Kamzë, ku autori i dyshuar është 41-vjeçari Dan Hutra.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj u shpreh se organet duhet të veprojnë me forcën e ligjit.

“Lajmet makabre të ditës së sotme në Tiranë, ku tre gra janë vrarë e tre të tjera janë plagosur, janë tërësisht të papranueshme! I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave! Fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme.

Dënoj ashpër të gjitha ngjarjet e dhunës në familje dhe kërkoj që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit. Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë së vepruari deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht’, shkruan Begaj në Facebook.