Konfirmohet edhe nga policia shqiptare, jozyrtarisht se Festim Lato, i vetëshpalluri Presidenti i Çamërisë, është gjetur i vrarë në Amsterdam.
Ndërkohë, mediet e huaja raportojnë se ka qenë një kalimtar i rastit, ai që e dalloi trupin e njeriut në ujë rreth orës 5:00 të mëngjesit të së premtes. Fillimisht u dyshua se trupi i pajetë i përkiste një polaku, por më pas rezultoi se bëhej fjalë për biznesmenin shqiptar, Festim Lato, i cili prej 25 vitesh jetonte në Holandë.
Sipas De Gelderlander, Lato ka shmangur një ‘ushtri’ kreditorësh për një kohë të gjatë. Ai u deklarua personalisht i falimentuar nga gjykata në Zutphen në prill të këtij viti. Pavarësisht kësaj, ende nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me vrasjen e tij.
Një mik i mirë i Latos konfirmoi vdekjen e tij tek De Gelderlander. Ai i tha gazetës se kohët e fundit e takonte shpesh dhe nuk kishte arsye të besonte se do t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe.
Angelo Aliu, kryeministri i vetëshpallur i Republikës së Çamërisë, konfirmoi vdekjen e Latos në Facebook. Ai tha se ishte i tronditur nga vdekja dhe e quajti atë “një vrasje të motivuar politikisht të një heroi të Çamërisë”.
Diplomati holandez Jeroen Zandberg i UNPO – një organizatë e bazuar në Hagë për vendet, rajonet dhe popujt e papërfaqësuar – i tha De Gelderlander se Lato ishte i përfshirë në punë të dyshimta.” Ai kaloi shumë para përtej kufirit me Shqipërinë”, tha Zandberg.
“Ka bërë biznes me sipërmarrës që nuk paguajnë TVSH, e për rrjedhojë ka vulosur një numër marrëveshjesh të fshehura. Shumë kompani apo edhe qeveri i huazuan shuma të mëdha, por nuk i panë më kurrë me sy ato para, vazhdon Zandberg që u shpreh sidoqoftë i tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar 42-vjeçarin si një njeri që të bënte për vete me energjinë e tij.
I njohur si biznesmen, ai u kthye shpejt në njërin prej aktivistëve më të zëshëm të “çështjes çame”; 30 tetorin e 2016-ës pat shpallur Republikën e Çamërisë, e një vit më pas premtoi së shume shpejt do të prodhoheshin dhe 500 pasaporta të para të saj.
Në mediet greke ishte folur shumë për të; disa e përshkruanin si te rrezikshëm për vendin, ndërsa shteti grek ka qenë në gjyq me të në Gjykatën e Hagës për Krime Kundër Njerëzimit. Në fillim pati zëra se ekzekutimi ishte politik e i kryer ndoshta nga shërbimet sekrete. Por ndërkohe qarkullon dhe një variant tjetër i ngjarjes, sipas të cilit Lato ishte i mbytur në borxhe.
Familja e tij në Vlorë ka hapur dyert e mortit, por ndërsa asnjë nga të afërmit nuk e ka pare trupin e Latos, ata ende ushqejnë shpresa se analizat e AND-se mund të mos e konfirmojnë lajmin e kobshëm./TCH/