(E plotësuar) Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur para pak çastesh në Pejë.
Burime të Telegrafit nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në një konflikt në lagjen Dardania në Pejë rreth orës 15.30, një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur.
Mësohet se ishin sulmuar babë e bir, me ç’rast babai Idriz Gega ka mbetur i vdekur ndërsa i biri i tij, Ferid Gega është plagosur.
I plagosuri mësohet se është jashtë rrezikut për jetë.
Mjekja kujdestare e Spitalit të Pejës, Sahadete Sylqa, ka konfirmuar vdekjen dhe plagosjen. Ajo ka thënë për KALLXO.com se dy persona janë pranuar në Emergjencë rreth orës 15:30.
“Pacienti, një burrë i moshuar, ka pasur lëndim të rëndë në kokë me mjete therëse (sëpatë). Ai ka ardhur në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije. Me gjithë përpjekjet e ekipit të mjekëve viktima ka ndërruar jetë“, ka thënë Sylqa.
Ndërsa, për pacientin e dytë ajo ka thënë se ai ka ardhur me një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e stomakut.
“Pasi i është bërë CT-ja e stomakut vërehet prania e plumbit dhe pacienti është futur në sallën e operacionit. Për momentin pacienti është jashtë rrezikut për jetë“, tha mjekja Sahadete Sylqa.
Mësohet se sulmuesi është Rr. Ll., kurse policia ka dalë në vend të ngjarjes për të hetuar rastin. /Telegrafi/