Një vrasje e rëndë ka tronditur mbrëmë fshatin Baks të Skenderajt. Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vdekur një person kurse dy të tjerë janë plagosur.
Deri te ngjarja e rëndë erdhi pas një mosmarrëveshje që kishin palët mes vete, e që të njëjtit është raportuar se ishin kushëri mes vete.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 19:00. Lajmin fillimisht e konfirmoi, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Fexhrie Pllana.
“Pas një mosmarrëveshjeje sonte rreth orës 19:00 në fshatin Bask tre persona janë plagosur me armë zjarri. Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka ndërruar jetë”, tha Pllana.
Lidhur me këtë rast policia dje pasdite doli me detaje shtesë ku bëri të ditur se ka arrestuar dy të dyshuar derisa ka bastisur edhe dy lokacione ku ka sekuestruar edhe dy armë.
““Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë disa persona, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri tre persona ishin të plagosur. Dy persona ishin dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Skenderaj, ku njëri prej tyre si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit kishte humbur jetën dhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij, ndërsa i plagosuri tjetër është transferuar për tretman mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në Prishtinë”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhej se Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarr të gjitha veprimet për zbardhjen e këtij rasti.
“Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve ka folur mjekja kujdestare në QKUK, Dafina Basholli, e cila njoftoi se njëri nga ta ka marrë plagë në këmbë, ndërsa tjetri në pjesën abdominale, por që gjendja e tyre tashmë është stabile dhe së shpejti do të lirohen nga spitali. /Telegrafi/