Site icon Telegrafi

Vrasja në Sarandë, familjarët: Nëse nuk vepron drejtësia, do bëjmë vetëgjyqësi

Një ditë pas vrasjes tragjike të punonjësit të karburantit në Sarandë, Artan Hoxha, kanë ardhur dhe reagimet e familjarëve të tij.

Duke folur nga qyteti jugor, përmes dhimbjes e lotëve, familjarët kanë kërkuar burgim të përjetshëm për autorin e dyshuar Arqile Koçi, 27 vjeç.

Vëllai i të ndjerit Artan Hoxha thotë se do të bëjë vetëgjyqësi, nëse drejtësia nuk vepron siç duhet. Kurse bashkëshortja e viktimës, Zana Hoxha, është shprehur për mediat se Artani ishte njeri punëtor dhe përpiqej sa më shumë për të nxjerrë të ardhura për familjen.

Pjesa më e madhe e parave, thotë ajo, shpenzoheshin për të blerë ilaçe për njërin nga dy fëmijët e sëmurë.

Roja i karburantit në hyrje të Sarandës, Artan Hoxha u vra dje me çifte nga i riu Arqile Koçi, i cili grabiti shumën e parave 60 mijë lekë të reja. Autori u prangos brenda pak orëve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:55 të së dielës, kur një person që drejtonte një motor të kuq dhe me skafandër në kokë ka hyrë në lokalin e karburantit ku punonte Artan Hoxha, 44 vjeç, banues në fshatin Gjashtë. Në ato momente në lokal ndodheshin dy punonjësit e lokalit dhe punonjësi i karburantit, Artan Hoxha, i cili qëndronte i vetëm, disi i përgjumur. Nën kërcënimin e një arme gjahu, çifte, grabitësi ka arritur të marrë rreth 60.000 lekë të reja nga banakieri. Teksa po largohej, ai ka marrë cigare dhe çëmçakëza në ekspozitor, por i kanë rënë në tokë disa nga paratë që mbante në dorë.

Pasi ka marrë nga toka paratë dhe teksa po dilte, nga tavolina ka lëvizur 44 vjeçari Artan Hoxha. Lëvizja e tij ka trembur grabitësin i cili e ka goditur pa paralajmërim drejt e në gjoks dhe është larguar me vrap duke marrë motorin për të dalë në rrugën kryesore me drejtim Sarandën.

Hoxha është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por ka mbërritur i vdekur. Përmes pamjeve filmike dhe bizneseve fqinje është bërë i mundur identifikimi i të dyshuarit, Arqile Koçi, 27 vjeç, banues në Qeparo, i skeduar si përdorues i lëndëve narkotike.

Hetimet e shpejta kanë konkluduar edhe në zbulimin e lidhjeve shoqërore të të dyshuarit, konkretisht me emrin Mihal Leka, 33 vjeç. Policia ka ushtruar menjëherë kontroll në banesën e tij ku ka gjetur armën dhe motorin, por jo Lekën dhe të dyshuarin e vrasjes, Arqile Koçi. Për këtë është organizuar një tjetër operacion, disa dhjetëra metra larg banesës, konkretisht në një hotel për të cilin ishte marrë informacion se fshiheshin dy shokët.

Operacioni ka rezultuar i suksesshëm duke çuar në arrestimin e 27 vjeçarit Arqile Koçi dhe 33 vjeçarit Mihal Leka.

Exit mobile version