Telegrafi

Vrasja në Klinë, avokati tregon çka tha i dyshuari për armën e krimit

Tush Frroku, i dyshuar për vrasje, është dorëzuar sot në Polici, tetë ditë pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen në një lokal në Klinë.

Avokati i tij, Gani Kelmendi, ka dhënë detaje nga dorëzimi i Frrokut në Polici.

Sipas Kelmendit, ai pas dorëzimit është bastisur nga Policia dhe ka qenë i paarmatosur.

Ai ka thënë se Tush Frroku nuk e di ku e ka hedhur armën e krimit.

“Kemi ardh. Jemi dorëzu në Pejë. I kam thirr Policinë, na kanë pritë para dere, kemi hy brenda, e kanë bastisë, ka qenë i paarmatosur. Është mbrojtur në heshtje. Policia e kanë marrë në pyetje por ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur me dhënë një deklaratë. U ka interesu arma ku ka mbet. Ai nuk e di ku e ka gjujt, sepse e ka gjujtë tuj ikë”, tha avokati Kelmendi për Kallxo.com.

Kelmendi ka dhënë informacione se ku ndodhej i dyshuari Tush Frroku deri më sot dhe si erdhi deri te dorëzimi i tij në Polici.

Lexo po ashtu Ku ishte fshehur dhe si u dorëzua në Polici i dyshuari për vrasjen në Klinë

Sipas Kelmendit, i njëjti po qëndronte në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë të Skenderajt.

Ai tha se e ka marrë të dyshuarin dhe e ka shoqëruar deri në stacionin e Policisë në Pejë.

Avokati bëri të ditur se Frroku gjatë rrugës për në Polici është ushqyer, ka pirë kafe e ka blerë cigare.

“Unë kam shku e kam marrë, ka qenë i strehuar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë, rreth orës 15:30 dhe jemi shku e kemi marrë. Kam shku e kam pritë, pas rreth 15 minutave ka dalë. Si në mal ka qenë, njëfarë djerrine. Ka dalë, ka ardhë në kerr, kemi ardhë rrugës, ka hëngër bukë, ka pi një kafe, ka ble cigare”, ka treguar avokati Kelmendi.

Sipas tij, Frroku në Prokurori ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur për të dhënë deklaratë.

Mediat publikuan  pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë të momentit kur Frroku i armatosur hyn brenda një lokali në Klinë, shkrep armën disa herë në drejtim të viktimës dhe del nga aty.

Pas rastit, Frroku dyshohet se me një veturë të grabitur u largua nga vendi i ngjarjes drejt fshatit Kosh të Istogut prej nga është.