Site icon Telegrafi

Vrasja në klubin e natës në Pejë – mbrojtja kërkon që të shpallet provë e papranueshme arma e gjetur nën jastëkun e të akuzuarit

Mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, ka kërkuar nga gjykata që ta shpallë provë të papranueshme armën që ishte gjetur nën jastëkun e Elshanit.

I akuzuari Elshani po ngarkohet për vrasjen e B.Sh, në janar të 2010-ës, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Propozimin për shpalljen e armës në fjalë si provë të papranueshme, avokatja Kelmendi e ka bërë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pasi që e njëjta bëri përmbledhje të shkeljeve procedurale që pretendon se janë bërë në rastin kur është kryer bastisja në shtëpinë e Tahir Hysenit dhe është sekuestruar arma e zjarrit, ajo ia prezentoi trupit gjykues edhe disa vendime të gjykatave se si i kishin shpallur prova të papranueshme kur kishin vendosur në raste të ngjashme.

“Prandaj, konkretisht kërkoj që arma e sekuestruar në mënyrë të kundërligjshme gjatë kontrollit të kundërligjshem në shtëpinë e Tahir Hysenit, e që sipas akakuzës është arma “Six hour”, mbrojtja pretendon dhe fuqimisht dhe sinqerisht beson që nuk është arma që është gjetur nën jastëk, të shpallet provë e papranueshme”, tha ajo.

Propozimin e avokates e ka kundërshtuar prokurori special Afrim Shefkiu.

“Hetuesit policor kanë konfirmuar se natën kritike kanë shkuar në kërkim të personit të dyshuar, në rastin e kërkimit të Shkodran Hysenit dhe kanë hasur në tani të akuzuarin Granit Elshani, me ç’rast edhe në shtratin e tij, nën jastëk është gjetë revolja e tij që është objekt i kësaj aktakuze”, tha prokurorja.

Sipas saj, i njëjti ka nënshkruar edhe dokumentin mbi sekuestrimin e armës së zjarrit me të dhënat e kësaj revole që është objekt.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Mentor Bajraktari tha se do të vendoset në seancën e radhës, pasi që i duhet kohë për t’ia bërë një analizë, pasi që duhet të shqyrtohen të gjitha shkresat e lëndës.

Ndryshe, në fillim të seancës është dëgjuar edhe njëherë eksperti i balistikës, Ilir Kukaj, i cili tha se përmes metodave krahasuese kanë konstatuar se gëzhoja e fotografuar në provën 7 është e kalibrit 9x19mm.

Seancat e radhës janë caktuar që të mbahen më 3 dhe 10 dhjetor 2021.

Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.

Ai kishte kërkuar transferimin e lëndës për shkak të mungesës së gjykatësve të krimeve të rënda në gjykatën që ai drejton dhe për shkak se gjyqtarët tjerë të cilët kanë mbetur, kanë bazë për përjashtim në gjykimin e këtij rasti.

Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vjet burgim, Granit Elshanit, i cili ishte shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Pas kthimit të rastit në shkallë të parë, rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit B.Sh dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur B.Sh, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj.

Exit mobile version