Ndonëse e emocionuar, Arjeta Ramadani dëshmoi në gjykimin e katër personave, që akuzohen për vrasjen e burrit të saj, Nazmiut.
Arjeta tregoi se burri i saj kishte afërsisht 10 vjet që punonte si roje në qendrën “Albi Mall”, ndërsa nuk kishte pasur asnjëherë problem me dikë.
“Ai asnjëherë nuk ka pasë problem me dikë. Ai madje ka marrë mirënjohje nga shefat e tij për punën”, tha Arjeta Ramadani.
Dëshmitarja tregoi më pas se jetonte vetëm më burrin dhe fëmijët e saj ndërsa në një moment nuk mundi të përmbahej dhe lëshoi akuza të rënda ndaj të akuzuarve.
“Këta nuk më kanë vrarë burrin por edhe mua më kanë vrarë”, tha ajo.
Arjeta tregoi se burri i saj sikur çdoherë edhe ditën kritike kishte dalë nga shtëpia në ora 8:00, sepse udhëtonte me autobus. Lajmin e kobshëm ajo tha se e kishte pranuar shumë rëndë.
Përpos prokurores Habibe Salihu-Statovci, avokatët dhe të akuzuarit nuk bënë asnjë pyetje.
Për vrasjen që ndodhi në fund të muajit mars të vitit 2015 dëshmoi edhe Granit Pylla, ish-menaxheri i kafenesë e cila synohej të grabitej.
Dëshmitari Pylla tregoi se brenda në lokalin ku ai menaxhonte ishte një arkë ku ruhej qarkullimi ditor.
SIpas dëshmitarit, arka mund të bartej me dorë ndërsa për vendndodhjen e dinin të gjithë të punësuarit.
Pjesë e stafit që menaxhohej nga Pylla ishte edhe tani i akuzuari, Shpëtim Cakolli.
Dëshmitari tregoi se pikërisht natën kritike, pas orës 23:30, gjersa ishte duke dalë nga lokali, ishte thirrur në telefon nga i akuzuari për t’ia marrë kuletën që ai e kishte harruar.
“E di që prej stafit atë natë kanë qenë në punë Shpëtim Cakolli sepse ai më ka thirrë me ia marrë një kuletë që ai e kishte harruar në lokal dhe me ia marr”, tha Pylla.
Prokuroria pretendon se kjo thirrje që iu bë menaxherit ishte pjesë e planit të të akuzuarve.
Avokati i të akuzuarit Leutrim Sadiku, Nasuf Hasani, e pyeti dëshmitarin se pse kishte bërë lëvizje sikur fshihej, teksa ishte kthyer për të marrë kuletën.
Nga pamjet filmike shihet se ju kur jeni kthyer për të marrë kuletën para se të hyni në shank ndaleni për pak sekonda dhe në një mënyrë duket sikur po fshiheni, para se të arrinte roja?, ishte pyetja e avokatit drejtuar dëshmitarit.
“Nuk më kujtohet”, ishte përgjigjja e shkurtë e dëshmitarit.
Sipas aktakuzës, Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku akuzohen për vjedhje grabitqare në lokalin “Don Café”, në “Albi Mall”, e cila rezultoi me një përleshje ku mbeti i vrarë Nazmi Ramadani.
I akuzuari i katërt, Anduan Rexhepi, sipas Prokurorisë ishte në rolin e shoferit dhe akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur grupi kishte arritur në katin e tretë të qendrës tregtare, dhe e kishin zbuluar arkën ku mbahej pazari ditor, roja tani i ndjerë i kishte vërejtur dhe kishte filluar një përleshje me ta. Në konfrontim e sipër, sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit kishte shtënë katër herë në të ndjerin./Kallxo.com/