Telegrafi

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, ngritet aktakuzë ndaj tre personave

Prokuroria Themelore në Pejë këtë të premte ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për vrasjen tronditëse të ndodhur në nëntor të vitit 2021 në Gllogjan.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një konference për media prokurorja e rastit, Sahide Gashi, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Vrasja tronditëse në Gllogjan, nesër prokuroria shpalos të gjeturat e hetimit dhe dorëzon aktakuzën

Ajo ka thënë se aktakuza është ngritur ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale.

Ndërsa, për të pandehurin Malsor Mehmetaj prokuroria ka vendosur që t’i pushojë hetimet pasi siç ka deklaruar prokurorja Gashi, pas përfundimit të hetimit dhe shqyrtimit të provave, nuk është arritur që të vërtetohet se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

“Pas hetimeve Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale ‘vrasje’ si bashkëkryes të veprës. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale ‘shtytje në vepër të rëndë’. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që ndaj tij t’i pushojë hetimet”, ka theksuar Gashi.

Ajo tutje ka thënë se ky krim paraprakisht ishte planifikuar në hollësi. E pyetur për motivet e kësaj ngjarje të rëndë, prokurorja është shprehur se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japë më shumë detaje.

Pasditen e 26 nëntorit të vitit 2021, në Gllogjan janë vrarë tre persona e një është plagosur pas të shtënave me armë në drejtim të një autobusi, i cili po bartte nxënës nga Gjakova për në Gllogjan.

Autobusi ishte zënë në pritë siç thuhet nga një person, i cili kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të automjetit. Të vdekur mbetën shoferi i autobusit, dhe dy nxënës të moshës 17-vjeçare./Telegrafi/