Kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të marrë fund epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Ky reagim i tij erdhi në platformën X derisa në profilin e tij e ka shpërndarë një postim të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Miller ka kërkuar që Serbia të përfundojë hetimin e rastit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi në Serbi në vitin 1999.
“Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë kosovarë, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv menjëherë pas luftës”.
“Agroni, Mehmeti dhe Ylli u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë, ndërsa duart e tyre ishin të lidhura”.
“Megjithatë askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme nga Serbia duhet të marrë fund”, ka thënë Kurti.
Vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së.
Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë atëkohë, hyrjes së paligjshme në Serbi.
Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë.
Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.
Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në shkurt të vitit 2019 se vrasja e vëllezërve Bytyqi është një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka që duhet për të hetuar rastin./Telegrafi/
The bodies of three young Kosovar Albanian brothers, who were also U.S. citizens, were found in a mass grave shortly after the war. Agron, Mehmet, and Yll were killed in Serbian police custody, with bullets to their heads while their hands were tied. Yet nobody has been held… https://t.co/KAa4NLMKza
— Albin Kurti (@albinkurti) July 8, 2024