Site icon Telegrafi

Vrasja e policit në Zllatar, suspendohen nga puna të gjithë policët që ishin në vendin e incidentit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi të premten mbrëma në fshatin Zllatar të Prishtinës, ku një polic mbeti i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri aksidentalisht nga kolegu i tij.

Në raportin 24 orësh të policisë, thuhet se janë arrestuar gjashtë zyrtar policor dhe se të gjithë të tjerët që ishin prezent në vendin e incidentit janë suspenduar nga puna.

“Me 19.02.2022 lidhur me rastin trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion dhe janë arrestuar gjashtë zyrtar policor të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Me rekomandim të Inspektoratit policor të gjithë zyrtarëve policor që ishin në vendin e incidentit u është dhënë vendimi për suspendim nga puna”, thuhet në raportin e policisë.

Lexo po ashtu Vrasja e policit në Zllatar ndodhi gjatë një ndeje private - arrestohen pesë policë dhe kërkohet suspendimi i nëntë tjerëve

Kujtojmë se Inspektorati i Policisë kishte njoftuar se policët ishin në një ndejë private, ku kishin marrë pjesë 15 zyrtarë policorë.

“Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra. Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar”, thuhej në njoftimin e IPK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version