Telegrafi

Vrasja e Nysret Cenës në Kaçanik, identifikohen targat e veturës së djegur

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka arritur që t’i identifikojë targat e veturës së tipit Mercedes, e cila u gjet e djegur vetëm pak kilometra larg vendit ku dyshohet se u vra Nysret Cena.

Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Shukri Jashari, tha shkurt për Telegrafin se janë duke vazhduar hetimet intensive për të zbardhur vrasjen që ndodhi të hënën mbrëma.

Lexo po ashtu Avokati Koci për vrasjen në Kaçanik: Ishte e organizuar në formë mafioze

“Kemi arritur t’i identifikojmë tabelat e veturës tip Mercedes, e cila është gjetur e djegur afër vendit të ngjarjes. Nga identifikimi kemi arritur që të kuptojmë që targat kanë qenë të një veture tjetër, pra dyshojmë se ato ose janë vjedhur ose janë të vjetra sepse tabelat janë të regjistruara. Pra këto tabela janë krejt të një veture tjetër e të cilat ishin të vendosura në veturën e djegur”, ka thënë Jashari.

48-vjeçari Nysret Cena u gjet i vdekur të hënën në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, konkretisht në Kaçanik të Vjetër.

Ai u gjet i vdekur brenda një veture, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/