Telegrafi

Aktakuza ndaj Dardan Krivaqës – dyshohet se fillimisht e dhunoi seksualisht e pastaj e vrau Marigona Osmanin

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/