Më shumë detaje në media janë shfaqur rreth vdekjes së Yahya Sinwarit.
Në fakt, ka folur kryepatologu që kreu autopsinë e trupit të liderit të ndjerë të Hamasit, i cili u vra gjatë ditës së djeshme në Rripin e Gazës.
Dr Chen Kugel, kryepatologu në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Ligjore të Izraelit në Tel Aviv, pohoi se ishte i sigurt se ndërsa Sinwar pësoi disa lëndime të rënda, ai u vra përfundimisht nga një plumb në kokë.
Ushtria izraelite më parë tha se 62-vjeçari u vra në Gazën jugore kur një predhë tanku goditi një ndërtesë ku ai ishte fshehur pas një shkëmbimi me armë zjarri, shkruan skynews.
“Shkaku i vdekjes është një plagë me armë zjarri. Ai është goditur me një plumb në kokë dhe ka një dëmtim të rëndë traumatik të trurit”, tha Dr Kugel, i cili nënshkroi certifikatën e vdekjes së Sinwarit.
Raw footage of Yahya Sinwar’s last moments: pic.twitter.com/GJGDlu7bie
— LTC Nadav Shoshani (@LTC_Shoshani) October 17, 2024
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha CNN-it se një shkëmbim zjarri kishte ndodhur ndërsa kishte përfunduar me gjuajtjen e një predhe tanku në ndërtesë.
Ata shtuan se po punohet për të kuptuar të gjitha detajet rreth vrasjes së liderit të organizatës militante palestineze.
Dr Kugel tha gjithashtu se gishti i Sinwarit ishte prerë dhe dërguar për testim të ADN-së në mënyrë që ai të identifikohej prej mjekëve.
Pamjet grafike dhe fotot që dolën në internet duke pretenduar se ishin të trupit të Sinwarit fillimisht tregonin dorën e majtë me të pesë gishtat ndërsa më vonë një gisht nuk e kishte në duar.
Ndryshe, tashmë kanë dalë emrat e njerëzve që mund ta pasojnë Sinwarin në postin e liderit të Hamasit dhe në mesin e tyre është edhe vëllau i të ndjerit, Muhammed Sinwar. /Telegrafi/