Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, u kërkoi zyrtarëve të lartë në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump që të vazhdonin mbështetjen për princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, raportoi të enjten Uashington Post.
Duke cituar zyrtarët e SHBA, raporti deklaroi se Netanjahu e përshkroi Princin e Kurorës si një “aleat strategjik” në Lindjen e Mesme, përcjell Telegrafi.
Raporti tha se një mesazh i ngjashëm u përcoll në Shtëpinë e Bardhë edhe nga presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sissi.
Netanjahu kohët e fundit vizitoi Omanin, një vend i Gjirit që nuk kishte pritur një kryeministër izraelit që nga vitet 1990, në shenjë të lidhjeve midis Izraelit dhe mbretërive arabe në Gjirin Persik.
Në rrugën e tij drejt Omanit, aeroplani i kryeministrit fluturoi mbi Arabinë Saudite.
Përveç kësaj, ka pasur një numër raportimesh në muajt e fundit lidhur me një rritje në bashkëpunimin izraelito-saudit të inteligjencës.
Arabia Saudite dhe bin Salman, janë nën kritika të rënda për zvarritjen e tyre të errët në hetimin e zhdukjes së Khashoggit dhe vdekjes së tij.
Mbretëria gjithashtu ka ndryshuar narrativën e saj disa herë rreth zhdukjes së Khashoggit, i cili më 2 tetor ishte futur në Konsullatën Saudite në Stamboll.
Mbretëria fillimisht tha se Khashoggi doli jashtë konsullatës i palënduar, por më pas tha se agjentët sauditë e kishin vrarë aksidentalisht atë në një grindje, dhe kohët e fundit njoftoi se kishte prova se vrasja e tij ishte “e paramenduar”. /Telegrafi/