Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, tha të mërkurën se do të nevojitet ndihma nga hetuesia e Serbisë për të marrë më shumë informacione rreth veturës nga e cila është shtënë drejt liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Rexha, i cili është njëri nga dy prokurorët që po e hetojnë këtë rast, tha se kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës që të kërkojnë ndihmën e autoriteteve serbe në këtë drejtim.
“Raporti i veturës ende nuk është marrë dhe ne kemi kërkuar përmes Ministrisë së Drejtësisë ndihmë nga shteti i Serbisë për t’i siguruar të dhënat për automjetin që është gjetur i djegur”, ka thënë prokurori Rexha për KALLXO.com.
Vetura nga e cila vrasësit kanë gjuajtur në drejtim të Oliver Ivanoviqit në mëngjesin e 16 janarit në Mitrovicë të Veriut, është gjetur e djegur pak orë pas vrasjes në afërsi të vendbanimit të quajtur Zveçani i Vogël në pjesën veriore të Kosovës.
Rexha nuk ka dhënë detaje nëse janë siguruar xhirimet e kamerave të sigurisë në rrugët e Mitrovicës së Veriut.
“Sa i përket videove të kamerave, jemi duke punuar në atë drejtim, një herë nuk kemi asgjë konkrete”, ka thënë prokurori.