Telegrafi

Vrasja e Ivanoviqit, prokurori Qerkini tërhiqet nga ndjekja e Rade Basaras

Ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Në fjalën përfundimtare, prokurori special Burim Qerkini është tërhequr nga ndjekja penale e ish-hetuesit të Policisë, Rade Basara, siç tha ai për shkak të mungesës së provave.

Një të pazakontë zgjodhi ta bëjë të premten prokurori special Burim Qerkini, në fjalën e tij përfundimtare në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Rëndom prokurorët në fund të procesit kërkojnë dënimin maksimal për të akuzuarit, gjë që e bëri Qerkini për 5 prej të tyre, por befasuese qe tërheqja nga ndjekja penale e njërit prej tyre, Rade Basara ish hetuesit policor në veri.

Krejt në fund të procesit Qerkini po thotë se nuk ka prova për përfshirjen e tij në vrasjen e politikanit serb në Kosovë pasi i pandehuri në atë kohë ka qenë në Kroaci.

“Dmth të gjitha dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët, e posaçërisht nga provat materiale, që janë nxjerrë me vendim apo me urdhëresë të gjykatës nuk është provuar se në veprimet e të akuzuarit Rade Basara ekzistojnë elementet e veprës penale “pjesëmarrja në grup te organizuar”, që lidhet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare, kështu që si PSRK, duke u bazuar në këto prova, në mungesë te provave për të akuzuarin tërhiqemi nga ndjekja penale”, ka deklaruar Qerkini.

Në tentimin e televizionit për të marrë një përgjigje nga prokurori lidhur me tërheqjen e tij nga ndjekja penale për Basarën, Qerkini nuk ka dashur të flasë.

Megjithëkëtë gjatë fjalës së tij përfundimtare ai përmend disa here Millan Radojçiqin, duke cekur se i njëjti është në arrati, ndërkohë që Qerkini është vetë prokurori special që në vitin 2021 kishte kërkuar dikur tërheqjen e fletarrestit ndaj tij.

Ani pse në seancë nuk ishte Tomë Gashi avokati i Rade Basaras, ai u kujdes që përmes një postimi të thur lavde për prokurorin, duke thënë se në këtë rast avokatit i takon veç të heshtë.

Por, avokatët e të akuzuarve të tjerë nuk heshtën në gjykatore të premten, ata në fjalët e tyre përfundimtare shfajësuan të mbrojturit e tyre, duke thënë se Prokuroria Speciale prova ka veç 5 gëzhoja e 5 predha.

“Ky është njeri i ri i martuar i vetmi ushqyer i familjes nuk është largu prej Mitrovices prej 16 janar 2018 kur është kryer vepra deri ne momentin e paraburgimit të tij kah fundi i vitit edhe pse ka qenë i sulmuar sumë shpesh prej shtypit të Beogradit që ky është kryerësi i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Dyshoj se keni fakte për ta shpallë fajtor”, ka deklaruar Faruk Korenica – avokat i Nedelkjo Spasojeviq.

“Prapa kësaj vrasje qëndrojnë pa mëdyshje strukturat e larta të udhëheqjes së Serbisë, ndërsa këtu të akuzuarit, nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim i cili në çfarëdo mënyrë  të vërtetonte implikimin e tyre, ne organizimin e gjithë kësaj vrasje”, ka deklaruar Mahmut Halimi – avokat i Marko Roshiq.

Me radhë kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare edhe avokatët e të akuzuarve tjerë, si dhe vetë të akuzuarit.

Përveç Spasojeviqit dhe Roshiqit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, të akuzuar janë edhe Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, dhe Zharko Jovanoviq.

Më 27 dhjetor 2023, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë edhe kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.

Ndërkaq, të kërkuar për këtë rast vazhdojnë të mbesin Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviq.

Aktgjykimi për këtë rast do jepet më 28 qershor./Dukagjini/