Pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vdekur, Gentjan Bejtja, Policia e Krujës e mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ngritur postblloqe në akset nacionale që përshkojnë këtë rreth.
Sipas informacioneve paraprake theksohet se këto postblloqe vijnë fill pas vrasjes së Gentjan Bejtjes dhe në fokus të tyre është parandalimi i ngjarjeve të tjera kriminale, ndalimi i personave në kërkim dhe personave që lëvizin me armë apo sende të kundërligjshme.
Policia ka kryer kontrolle të shumta të makinave dhe drejtuesve të tyre në këto akse në mënyrë që parandalojë ngjarjet të mundshme kriminale apo që të gjejë lidhje të mundshme me ngjarjen e djeshme në Fushë-Krujë, ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja.
Sa i përket kësaj ngjarjeje kanë dalë në dritë detaje të reja, ku sipas korresposdentëve tanë, Bejtja ishte kthyer nga jashtë vendit, ku ka dhe gruan dhe fëmijët vetëm një natë para atentatit. Gjatë natës forcat e policisë kontrollet i kanë përqendruar në zonën e Niklës nga ku dyshohet se janë atentatorët.
Burime të pakonfirmuara pohojnë se janë shoqëruar disa persona për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen, mes të cilëve edhe Valter Bami, një tjetër personazh i njohur i botës së krimit, i arrestuar për ngjarjen e 4 korrikut 2023, ku mbeti i vrarë kunati i Bejtjes e u plagosën dy djemtë e tij.
Familjarët e 43- vjeçarit të vrarë nuk kanë bashkëpunuar me policinë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa nga kqyrja e vendit rezultoi që të jenë shkrepur së paku 30 plumba.
Pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas, makina e autorëve u gjet e djegur rreth 5 kilometra larg vendngjarjes, në fshatin Hasan, ndërsa brenda ishin edhe 4 kallashnikovë të djegur të cilët dyshohet se janë përdorur nga ekzekutorët për atentatin./RTSH