Telegrafi

Vrasja e dyfishtë në Drenas për shkak të shfrytëzimit të malit – prokuroria ngrit aktakuzë ndaj dy personave

Foto: Arkiv

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.B. dhe A.B., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 05.04.2021, rreth orës 20:20, në vendin e quajtur “Zabel”, në pyllin e fshatit Gradicë, komuna Drenasit, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake pronësore rreth të drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje, të pandehurit në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin A.M., (15 vjeçar) dhe prindin e tij, të ndjerin B.M., si dhe të njëjtit kanë vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarve të përfshirë në këtë rast.

Lexo po ashtu Një i vrarë dhe një i plagosur në Gradicë të Drenasit

Sipas njoftimit thuhet se i pandehuri A.B., duke kontribuar thelbësisht në kryerjen e veprës penale, përmes një drite ndriçon hapësirën duke i krijuar të pandehurit Xh.B., mundësinë për gjuajtje, ndërsa ky i fundit, po ashtu përmes ndriçimit nga një dritë tjetër shtënë me armë me pushkën e gjuetisë të punuar me dorë, në drejtim të dëmtuarit, tani të ndjerit A.M., e më pas kur i ndjeri B.M., dhe i dëmtuari V.M., shkojnë në drejtim të miturit për t’i dhënë ndihmë, atëherë i pandehuri Xh.B., përsëri shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M., në kokë, me ç’ rast i rrezikojnë edhe të dëmtuarit, të cilët ishin prezentë në vendin e ngjarjes, ku si rrjedhojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, viktimat ndërrojnë jetë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/