Telegrafi

Vrasja e 30 vjeçarit në Ferizaj, i plagosur mbetet edhe i dyshuari – Policia shtiu në të pasi refuzoi urdhrat dhe drejtoi armën në drejtim të tyre

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj, ku një person la të vdekur një 30 vjeçar pasi shtiu me armë zjarri. Policia bën të ditur se policë civil pasi kanë vërejtur të dyshuarin i kanë kërkuar që të ndalet, por pasi i njëjti nuk i është bindur urdhrave dhe me pistoletë në dorë i është kthyer zyrtarëve policor, njëri nga zyrtarët ka shprehur në drejtim të të dyshuarit.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt bëhet e ditur se i dyshuari, menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

“Më datën 28.05.2022 rreth orës 00:53 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se, në rrugën ‘Rexhep Bislimi’  tek ‘Euro Market’ në Ferizaj kishte të shtëna me armë zjarri…

Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”, thuhet në njoftim.

Afër vendit të ngjarjes, një njësi e Policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhra verbal ‘ndal policia’ që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë.

I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njëri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare, me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit. I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve,  gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Lexo po ashtu Vritet një 30 vjeçar në Ferizaj

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.

Si provë materiale nga vendi i ngjarjes është konfiskuar dy armë zjarri, pistoleta dhe shtatë gëzhoja”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë.

Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, nën autorizim të Prokurorit i ka marr të gjitha veprimet e nevojshme.

Në vendin e ngjarjes, ka mbledhur prova materiale dhe deklarative se si ka ndodhur rasti. /Telegrafi/