Një vrasje e rëndë ka ndodhur të enjten në orët e hershme të mëngjesit në një kafiteri në Skenderaj, ku i vrarë mbeti një person dhe tre të tjerë u plagosën. Më saktësisht ngjarja ka ndodhur në fshatin Runik të Skenderajt rreth orës 01:21.
Lajmi për Telegrafin u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, ishte shprehur Zahiti.
Sipas tij, bazuar në hetimet fillestare nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona. Njëri nga të lënduarit viktima N. L, 39 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, tha Zahiti.
Sipas tij, të gjitha veprimet e ndërmarra policore janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes, ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
E të dyshuarit e vrasjes së rëndë në fshatin Runik të Skenderajt janë ende në arrati.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni ka thënë se Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës po punojnë intensivisht në zbardhjen e rastit.
Ai tha se prokurorja e rasti e ka cilësuar rastin si “Vrasje e rëndë”.
“Pas orës 01:20 është njoftuar prokurorja kujdestare në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë e cila ka dal në vendngjarje bashkë me policinë. Dy persona të maskuar kanë hyrë në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt dhe kanë shtënë me armë. Si pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe tre janë plagosur. Rasti është kualifikuar si vrasje e rëndë nga prokurorja. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në autopsi në IML. Policia bashkë me prokurorinë janë duke ndërmarr veprime intensive hetimore në drejtim të zbardhjes së këtij rasti”, është shprehur Preteni.
I pyetur se a janë identifikuar të dyshuarit, ai tha: “Kanë qenë të maskuar dhe deri në këtë moment nuk janë identifikuar dhe gjenden ende në arrati. As motivi i vrasjes ende nuk dihet. Jemi duke punuar intensivisht me Policinë e Kosovës”.
Lidhur me vrasjen e së enjtes në Runik të Skenderajt ka folur edhe një dëshmitar. Musa Gashi ka rrëfyer se si ndodhi rasti në orët e pas mesnatës në kafiterinë e muzikës live.
Ai tregoi se nga këndi ku kishte qenë ai ulur, ka arritur të shohë vetëm një person të maskuar, e që sipas tij, i dyshuari kishte shtënë me “kallashnikov” pa pasur një objektiv të caktuar.
Viktima sipas tij është djali i pronarit. Gashi thotë se nuk është në dijeni që kanë pasur probleme me dikë paraprakisht.
“Unë jam kanë në këtë pjesën në anën e djathtë si t’hysh mrena, domethënë nuk kam mujt me pa. Ata që janë kanë drejt me derë, ata kanë pa se sa janë kanë. Ama domethënë krismat e para, të shtënat e para që janë kanë, ka gjujt një person me kallashnikov edhe na jemi ra për toke. Ata që janë kanë drejt me derë, ata e kanë pa saktë ngjarjen”, rrëfen Gashi.
Dëshmitari Musa Gashi, i cili në atë moment ishte brenda lokalit, tha se i dyshuari kishte hyrë në objekt dhe kishte shkrepur diku rreth 50 plumba në drejtim të njerëzve.
“Ka hy një person i maskum me uniformë ka gjuajtur në drejtim të njerëzve. Një person e kam parë, por dyshohet se ka pas më shumë. Ka gjuajtur me kallashnikov. Po, ka qenë i maskum dhe me një uniform si të ushtrisë. Kanë qenë 15 ose 16 persona [në lokal]. Po fatmirësisht kam shpëtu pa lëndim. Sikur të ishte ndonjë akt terrorist, me gjujt në drejtim të njerëzve ka qenë e pamendushme. Probleme të rralla ka pas por kështu jo nuk ka pas probleme më herët në atë lokal. Policia ka ardh me shpejtësi por gjuajtja ka ndodh 10 apo 15 sekonda, janë gjuajtur përafërsisht 50 plumba. Ka ardh ambulanca e policia”, tha ai, në emisionin “Five” në RTV Dukagjini.
Musa Gashi theksoi se personin që u vra në Runik e ka njohur dhe se ai nuk ka qenë person që mund të lidhet me krimin.
Ndryshe, Shaqir Uka, shef i Repartit të Intensives në QKUK, ka bërë të ditur për Telegrafin se njëri nga të plagosurit në Runik të Skenderajt është në gjendje më të rëndë dhe lëndime ka marrë nga arma e zjarrit në regjionin e gjurit. Ai ka bërë të ditur se për shkak të lëndimeve është dashur t’i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës së djathtë. /Telegrafi/