Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares M.O. në Ferizaj.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Gentiana Hoxha.
Ajo ka bërë të ditur se vendimi për vazhdimin e masës së paraburgimit është marrë nga gjykata më 16 maj 2022.
Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë.
Kurse, Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës.
Të njëjtit dyshohen se pas rastit, tani të ndjerën e kishin dërguar dhe lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa vet kishin ikur në drejtim të panjohur./Telegrafi/