Site icon Telegrafi

Vrasësi i Bin Ladenit: Derisa Obama njoftonte operacionin, unë po haja një sanduiç pranë trupit të tij

Vrasësi i Osama Bin Laden ka thënë se ka shikuar njoftimin e presidentit Barack Obama për vdekjen e terroristit, ndërsa hante një sanduiç të mëngjesit pranë trupit të vrarë të Bin Ladenit.

Në intervistën e rrallë, anëtari i Navy Seal Team 6, Robert J. O’Neill, zbulon momentet tronditëse pasi ai qëlloi dhe vrau Osama Bin Ladenin në një kompleks në Pakistan, përcjell Telegrafi.

Ai tha: “Ne kishim një televizor, presidenti Obama doli duke ecur, me kostum të zi, kravatë të kuqe, tapet të kuq dhe ai tha që sonte mund t’i raportojë popullit amerikan dhe botës, se Shtetet e Bashkuara kanë realizuar një mision që vrau Osama Bin Ladenin, udhëheqësin e Al Kaedës”.

“Unë isha ulur atje duke ngrënë një sanduiç për mëngjes, dëgjoja presidentin të thotë emrin e Osama Bin Laden, ndërsa unë shikoja trupin e tij”.

Robert O’Neill, njeriu që qëlloi Osama Bin Ladenin, ka zbuluar detaje të dëgjuara kurrë më parë rreth vrasjes

Robert foli gjithashtu për letrat që i dha babait të tij, duke i shkruar familjes së tij nëse misioni nuk shkonte siç ishte planifikuar.

Ai tha: “Ne u kemi shkruar letra të gjithëve, letra individuale babait tim dhe vajzave të mia, mamasë time dhe motrës time”.

Njëra prej letrave drejtuar vajzës së tij thoshte: “Më vjen keq që humba dasmën tënde, e di që je e bukur, faleminderit që je kujdesur për motrat e tua. Ajo që ne bëmë ishte fisnike”.

Ndryshe, në një intervistë të mëparshme me The Washington Post, Robert O’Neill konfirmoi se ai qëlloi të shtënën fatale që goditi bin Ladenin në ballë.

Drejtuesi i grupit islamik terrorist, Al Kaeda u vra në 2 maj 2011 në Abbottabad, Pakistan në një operacion të drejtuar nga CIA.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë raportohet se e morën trupin në Afganistan dhe më pas e “varrosën në det” brenda 24 orësh. /Telegrafi/

Exit mobile version