Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, të hënën ka bërë të ditur se shumë shpejt do ta braktis partinë e Behgjet Pacollit, duke lënë të hapur mundësinë që t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndonëse, Tahiri ka thënë se është pothuajse e sigurt se do të bëhet pjesë e partisë së Albin Kurtit, zyrtarë nga kjo parti kanë mohuar të ketë biseduar dikush me Labinot Tahirin, për aderimin e tij në VV.
Është aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, ai që ka mohuar se dikush nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje ka biseduar me deputetin Tahiri.
“Një fotografi e Albinit me Labinot Tahirin që po qarkullon që dy ditë në facebook është e vjetër një vit e gjysmë, se daton prej 15 janarit 2017 në Reçak”, ka shkruar Vraniqi, përcjell Telegrafi.
“Për hir të së vërtetës, nuk ka pasur bisedë me Labinot Tahirin askush nga udhëheqja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për aderimin e tij në Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Vraniqi. /Telegrafi/