Site icon Telegrafi

Vozitje e rrezikshme në Ferizaj, dy shoferë ndëshkohen me gjoba dhe heqje të patentës

Foto: Arkiv

Policia e Komunikacionit Rrugor ka ndaluar dy shoferë të rinj në orët e hershme të datës 12 tetor 2024, rreth orës 00:30, në rrugën transitore mes fshatrave Varosh dhe Gërlicë të Ferizajt.

B.M. femër e moshës 22-vjeçare, u kap duke drejtuar automjetin me shpejtësi prej 149 km/h në një zonë me kufizim shpejtësie prej 60 km/h, ndërsa A.S., gjithashtu 22 vjeç, po zhvillonte shpejtësi prej 135 km/h në të njëjtën zonë.

Policia u ka shqiptuar të dyve gjoba kundërvajtëse prej 300 euro secilit, 3 pikë negative në patentë, si dhe masën mbrojtëse të ndalimit të vozitjes për një periudhë prej tre muajsh.

Policia Rajonale e Ferizajt ka deklaruar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet rrugore dhe u ka bërë apel shoferëve që të respektojnë rregullat e trafikut.

Po ashtu, qytetarët janë inkurajuar të bashkëpunojnë me policinë duke raportuar kundërvajtjet në rrugë, qoftë përmes stacioneve policore më të afërta apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe numrave kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Policia garanton konfidencialitet të plotë për të dhënat e raportuara. /Telegrafi/

Exit mobile version