Telegrafi

Votuan pro edhe Spanja, Greqia dhe Qipro – Sindikata e Policisë së Kosovës pranohet në Këshillin Evropian të Sindikatave

Sindikata e Policisë së Kosovës është pranuar në Këshillin Evropian të Sindikatave Policore (CESP) si anëtare me të drejta të barabarta.

Lajmin e ka bërë të ditur Sindikata përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të Evropës si dhe shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si Spanja, Greqia dhe Qipro kanë votuar unanimisht.

Votimi është bërë në Kongresin e Komisionit Ekzekutiv të CESP të mbajtur më 16 dhe 17 maj në Romë të Italisë.

“Me datë 16.05.2023 dhe 17.05.2023, në Romë të Italisë është mbajtur kongresi i komisionit ekzekutivë të Këshillit Evropian të Sindikatave Policore (CESP). Në këtë kongres ka marr pjesë kryesia e Sindikatës së Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

“Njëra nga pikat e punimeve të këtij kongresi ishte votimi për pranimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës në Këshillin Evropian të Sindikatave Policore (CESP). Të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të Evropës si dhe shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si Spanja, Greqia dhe Qipro votuan unanimisht për pranimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës si anëtare me të drejta të barabarta në CESP”.

Tutje, thuhet se pranimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës në familjen e sindikatave evropiane është arritje e madhe për Policinë e Kosovës për garantimin e të drejtave social-ekonomike dhe ligjore./Telegrafi/