Barack Obama ka votuar me postë, njoftoi ai sot gjatë një tubimi elektoral në Wisconsin.
Ish-presidenti amerikan, i cili mori pjesë në tubimin në Madison së bashku me kandidatin demokrat për zëvendës-president, guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz, tha se votoi me postë të hënën në Chicago.
“Mos prisni. Unë votova dje në Chicago. E mora fletën e votimit, e plotësova, e mbylla, e nënshkrova dhe pastaj dola për të ecur – gjë që nuk më jepet gjithmonë mundësia ta bëj dhe Shërbimi Sekret u nervozua – por thashë, tani le të shkojmë në një kuti postare”, tha ai, shkruan cnn.
Obama i tha turmës se “nëse ende nuk keni votuar, nuk do të ofendohem nëse thjesht largoheni tani për të shkuar për të votuar”.
Obama e nisi fjalimin duke kërkuar falje për vonesën. Ai tha se fillimisht kishte planifikuar të fluturonte për në Wisconsin nga Chicago, por vendosi të udhëtojë me veturë pasi zbuloi se aeroplani kishte rrjedhje vaji.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë), ku votën e qytetarëve po e presin kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump. /Telegrafi/