Deputetët e Kuvendit të Kosovës e votuan në parim Projektligjin për gjykimin në mungesë për krime lufte, i propozuar nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook tha se Projektligji që mori mbështetjen e deputetëve do t’ju mundësojë organeve të drejtësisë gjykim e dënim të kriminelëve të luftës.
“Institucionet e drejtësisë kanë me qindra e mijëra dosje e dëshmi për kriminelët e luftës, arsyetimi për mos hetimin dhe gjykimin e tyre ishte se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Projektligji që morri mbështetjen e deputetëve do t’ju mundësoj organeve të drejtësisë gjykim e dënim të kriminelëve të luftës, pavarësisht a i dorëzon apo jo Serbia”, ka thënë Haxhiu.
Ajo po ashtu tha se pas këtij projektligji LVV do të vazhdoj me iniciativa tjera që kanë të bëjnë me hartimin e projektligjit për dokumentimin e krimeve të luftës.
“Asnjë Qeveri e pasluftës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të kësaj, përveç kësaj në vend të mbështetjes dhe fuqizimit, u shua edhe Instituti për Krime Lufte”, ka shkruar ndër të tjera deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu. /Telegrafi/