Site icon Telegrafi

Votimi nga jashtë, Berisha: Të zgjatet regjistrimi, minimumi deri më 9 mars

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka kërkuar sot zgjatjen e afatit të regjistrimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në Platformën Elektronike të Regjistrimit, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.

Nëpërmjet një deklarate për mediet, Berisha kërkoi që “të zgjatet minimumi gjer në datën 9 mars afati i regjistrimit, meqenëse akti normativ u votua vetëm para 3 ditësh”.

“PD nuk merr kurrë përsipër të kundërshtojë ushtrimin e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund të ndodhë. Ne jemi që çdo njeri që ka aplikuar, t’i njihet e drejta e votës, t’i sanksionohet, të mund t’i konfirmohet”, tha Berisha.

“Ky refuzim është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit. Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën, sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara”, tha Berisha.

Sa i takon koalicionit të PD-së me 25 parti, “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha tha se ka dhënë 8 vende të sigurta në listat për deputetë.

“Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar”, tha Berisha.

“Sikundër, përcaktimet statutore për kuotat e vajzave dhe grave në listat e mbyllura dhe të hapura dhe për kuotat e të rinjve në të dy palët e listave, janë eprore ndaj gjithçkaje tjetër për listat e PD-së”, tha Berisha.

Exit mobile version