Që të bëhen votat për votimin e Kodit Civil duhet edhe pak kohë.
Kështu shprehet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka konfirmuar se kanë nisur me takimet që nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje,
“Siç e ka përmendur edhe kryeministri Kurti, Kodi civil është pjesë e agjendës sonë. Ne kemi qenë në takime me deputetët veç e veç dhe na duhet edhe ca kohë që ta kemi mbështetjen e deputetëve të kuvendit, por është e rëndësishme që të votohet edhe nga deputetët e opozitës”, tha Haxhiu për Klan Kosovën.
“Mendoj që takimet me deputetët e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes do të vazhdojnë, qoftë në takime të përbashkëta, qoftë në takime veç e veç, por ne duhet të sigurohemi që nëse procedohet në kuvend, ky ligj të kalojë”.
Ajo tutje tha se s’kanë caktuar ende një datë për seancën në të cilën pritet të votohet për këtë projektligj, por tha se “sa më shpejt që të dërgohet, është aq më mirë”.
Ndërsa, për sa i përket votës nga deputetët e PDK-së, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se ende s’kanë marrë vendim se si do të veprojnë.
“Para çdo mbledhjeje, para çdo seance do të marrim vendim se si do të sillemi. Sot për sot s’i kam takuar deputetët dhe s’kemi marrë ende vendim. Unë personalisht do të votojë siç do të votojë grupi, pasi jam kryetar i grupit parlamentar”, tha Tahiri.
Por, në votat e deputetëve të LDK-së, qeveria zor që mund të llogarisë, pasi kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, tha se ky projektligj është punë e qeverisë.
“Ai është ligj që votohet me shumicë të thjeshtë, është detyrë e qeverisë që ta zgjidhë. Unë s’do të votojë as pro as kundër, është çështje e qeverisë. VV-ja i ka numrat në kuvend dhe duhet ta zgjidhë atë çështje”, tha Gashi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka paralajmëruar se së shpejti në Kuvendin e Kosovës do të shkojë për votim Kodi Civil.
Për votimin e këtij Kodi, Kurti tha se do të merret personalisht me ndërtimin e një shumice parlamentare.
“Për këtë unë personalisht do të ndërtojë një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, ka deklaruar Kurti gjatë ditës.