Ndërtimi i rrugës regjionale Prishtinë – Podujevë u zvarrit për rreth shtatë vite. Megjithë zvarritjet, kjo rrugë nisi të rregullohej në fund të qershorit të vitit 2023 dhe kap vlerën e mbi 37 milionë euro. Afati maksimal që duhej të zgjaste rregullimi ishte 365 ditë pune, por rruga ende nuk është finalizuar.
Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se shifrat e aksidenteve të cilat përfundojnë me fatalitet janë alarmante, shkruan Telegrafi.
Në këtë rrugë për periudhën janar-maj të vitit 2023 dhe 2024 kanë ndodhur 54 aksidente fatale ku kanë humbur jetën 62 persona, ndërsa 11522 persona kanë mbetur të lënduar.
Nga komuna e Podujevës thanë se rregullimi i kësaj rruge i takon Ministrisë së Infrastrukturës.
“Pyetjet janë për t’ia drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës meqë financimi e mbikëqyrja bëhet nga Ministria dhe nuk janë në kompetencën e komunës”, tha Marigona Lahu, nënkryetare e komunës.
Telegrafi ka tentuar që të marr një përgjigje nga Ministria, megjithatë edhe pas shumë përpjekjeve, askush nuk është përgjigjur.
Ndërsa, Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit për vonesën e rregullimit e për numrin e lartë të aksidenteve në këtë rrugë thotë se shkaktarë është menaxhimi i dobët nga Ministria e Infrastrukturës dhe papërgjegjësia e operatorëve ekonomik.
“Shkaqet e vonesës janë të shumta, papërgjegjësia e operatorëve ekonomik si dhe kontroll e dobët nga ana e Ministrisë se infrastrukturës. Ndërsa, shkaqet e aksidenteve ne këtë rruge janë: sinjalistikë e dobët (mungesa e shenjave të komunikacionit) dhe punët e stërzgjatura”, tha ai.
Ai shton se kjo rrugë nuk është e sigurt për të lëvizur natën, e sidomos nga ata që nuk e njohin vendin.
“Ditën është rruga më e sigurt mirëpo natën nuk është. Rreziku qëndron te personat që e kalojnë rrugën transit dhe që nuk e njohin terrenin, kurse ne vendasit e dimë terrenin përmendësh. Vlen të përmendet se rreth rrotullimet në këtë rruge janë shumë të rrezikshëm e ish dashtë të jenë udhëkryqe në disnivel” përfundon ai. /Telegrafi/