Site icon Telegrafi

Vonesa e fluturimeve në Aeroportin “Adem Jashari” acaron pasagjerët (Video)

Për shkak të vonesave të fluturimeve dhe guzhmës së madhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, mes pasagjerëve dhe agjencioneve për fluturime janë shkaktuar acarime të shumta.

Frekuentimi masiv në aeroportin e Prishtinës në këtë kohë ndodh edhe për shkak të sezonit festiv, kohë kur bashkatdhetarët nga diaspora vizitojnë Kosovën gjatë festës së Vitit të Ri.

Sipas reporterit të KosovaPressit i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, shumë pasagjerë janë ankuar se janë detyruar të paguajnë bileta për të dytën herë për t’u kthyer në vendet tyre të punës. Në mesin e pasagjerëve ka edhe shtetas zviceranë.

E kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara, tha se vonesa në fluturime ka vetëm në një linjë fluturimi.

“Është vonesë normale, në ora 17:40 është dashur të niset, ndërsa fluturimi po realizohet në ora 19:40. Vonesa prej dy orëve është shkaktuar nga kompania përkatëse ajrore”, tha ajo.

Gara theksoi se fluturimet tjera po realizohen në orarin e paraparë pasi nuk ka mjegull sikur ditëve të kaluara.

Në një video që ka siguruar KosovaPress, shihet se si disa pasagjerë të tensionuar nga pritjet e gjata fjalosen me një nga zyrtarët e një agjencioni të fluturimeve.

Acarimi mes tyre vjen pasi pasagjerët detyrohen të paguajnë biletën e fluturimit për të dytën herë.

Exit mobile version