Site icon Telegrafi

Von der Leyen bisedon me Vuçiqin për rolin e Serbisë në uljen e tensioneve në veri të Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka folur për rolin e Serbisë në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Pas bisedës që zhvilloi sot, përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentja e KE-së, Von der Leyen, ka biseduar edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Sot bisedova me presidentin Aleksandar Vuçiq për rolin e Serbisë në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar Von der Leyen në Twitter, transmeton Telegrafi.

Më tej ajo ka bërë të ditur se presidentit serb i ka kërkuar “të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbështetur kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka për situatën në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës.

Presidentja Von der Leyen shprehu shqetësimin e saj për situatën aktuale dhe kërkoi nga unë që të bëj gjithçka për de-përshkallëzimit”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Paraprakisht, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për nevojën e uljes së tensioneve në veri.

Ai ka shtuar se bashkëbiseduesen e ka njoftuar “për qëndrimet e serbëve në veri të Kosovës dhe kërkesat për respektimin e të drejtave të tyre, të cilat kërcënohen çdo ditë”.

Përmes një postimi në Twitter, ajo ka përmendur edhe nevojën e rikthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizim të marrëdhënieve.

Lexo po ashtu Von der Leyen bisedon me Kurtin, kërkon urgjentisht të de-eskalohet situata në veri

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë bisedës me zyrtaren evropiane ka shprehur gatishmërinë për zvogëlimin e pranisë së policisë së Kosovës në ndërtesat komunale në veri “gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna”.

Lexo po ashtu Zvogëlimi i numrit të policëve në komunat në veri, Kurti bisedon me Von der Leyen

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Serbët lokalë të cilët i kanë bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

Këto protesta eskaluan në dhunë, ku grupe të ndryshme kriminale sulmuan fizikisht pjesëtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

Çështja e tensioneve në Kosovë do të jetë temë diskutimi edhe në takimet e shefave të shteteve të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel. /Telegrafi/

Exit mobile version